Shqip

FEJA DHE AMANETI

Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk e ka besimin e plotë ai i cili nuk ka amanet (frikë nga Allahu xh.sh. për të realizuar diçka) dhe nuk ka fe të plotë e të përsosur ai i cili nuk ka besë.” [E transmeton Ahmedi, Bejhekiu dhe Ibni Hibani.]

Amaneti dhe besa janë dy cilësi të pandashme nga njëra-tjetra. Kur është prezent amaneti (frika e Allahut xh.sh. për të realizuar çështjen që të është besuar), atëherë edhe realizimi i tij kryhet në mënyrën e duhur dhe njeriu, kur qëndron stabil në fjalët dhe veprat e tij, fiton titullin i besueshëm (apo besnik).

Amaneti dhe besa konsiderohen prej vlerave më të larta dhe më të shtrenjta në jetën e muslimanit dhe prej obligimeve kryesore pas besimit në Allahun xh.sh.                   

Urtësia dhe shkaku obligativ i këtij parimi qëndron në faktin se Allahu xh.sh. i ka obliguar robërit e tij me besim ndaj Tij dhe besimi në Allahun xh.sh. kërkon bindje për ditën e gjykimit, për xhenetin, për xhehenemin, me qëllim që ne të jemi të kujdesshëm ndaj punëve dhe veprave që veprojmë, sepse Allahu xh.sh. është mbikëqyrës për çdo vepër që punohet dhe Ai do ta shpërblejë të mirën me të mirë dhe të keqen me të keq. E kur muslimani e kupton kësisoj jetën e tij, atëherë ai mund të përmirësohet dhe të largohet nga çdo dredhi dhe padrejtësi.

Nëse dikush deklaron para dikujt se beson tek Allahu xh.sh. dhe dita e gjykimit, e në anën tjetër i tradhton dhe i pret në besë të tjerët, ky lloj i tipit njerëzor është në kundërshtim me vetveten dhe nuk është aspak real, për arsye se po të ishte besimtar i sinqertë ai kishte për ta ndier përgjegjësinë dhe frikën ndaj Allahut xh.sh. dhe nuk kishte për t’i tradhtuar dhe gënjyer të tjerët.

Ai i cili e përhap një fshehtësi të vëllait të tij, ose frikësohet nga ai që të ketë ndonjë marrëdhënie me të, ose frikësohet që t’ia besojë atij një sasi të pasurisë, ose frikësohet që të konsultohet me të për josinqeritetin që ka, ai në realitet nuk është besimtar i vërtetë.

Çfarë dobie ka të paraqitemi formalisht si besimtar para dikujt e të ngremë tespitë duke thënë ‘elhamdulila’, ‘subhanalla’, e t’i ngremë minaret e xhamive lart, e në anën tjetër të mos jemi të besueshëm e të sinqertë ndaj njëri-tjetrit dhe të mos e kemi frikën e  Allahut xh.sh. në zemrat tona? 

Qëllimi i fesë është që t’iu sigurojë njerëzve një rrugë të sigurt, që do t’u siguronte atyre kënaqësinë individuale dhe shoqërore. Ai i cili përqendrohet dhe i zbaton formalisht parimet fetare nuk ka për të korrur assesi sukses, prandaj si do të jetë përfundimi i një shoqërie e cila e ka humbur besën dhe amanetin?

Përfundimi është shkatërrim: në bisedat e tyre, në këshillat dhe tregtitë e tyre humbet besimi ndaj njeri-tjetrit.

Nuk mund t’i shohësh bashkërisht dhjetë persona që të organizohen në mes vete për të ndërmarrë ndonjë aksion, e nuk kalojnë veçse disa ditë dhe do të shohësh se njëri prej tyre ka dalë tradhtar, ky tjetri spiun, tjetri hipokrit etj. Në vend se të bashkohen, të vëllazërohen në mes vete, të jenë të sigurt dhe t’i përmbushin zemrat e tyre përplot dashuri, ata i mbushin përplot tradhti dhe zili ndaj njëri-tjetrit.

Mu për këtë arsye, për t’u kthyer besa dhe amaneti në zemrat e popullit, duhet që të sigurohet besimi i vërtetë dhe i sinqertë. 

Këtë çështje të rëndësishme do ta ilustrojmë me një rast nga historia e gjeneratës së hershme (selefus – salih), ku shihet imani dhe frika e tyre nga Allahu xh.sh.

Muhamed ibni Munkedir ka qenë tregtar i sinqertë në profesionin e tij.

Ai kishte pasur një shërbëtor që i ndihmonte atij gjatë tregtisë. Njëherë shërbëtori i tij kishte shitur diçka më shtrenjtë se sa çmimi origjinal i mallit. Muhamedi s’kishte qenë aty prezent dhe blerësi kishte shkuar. Kur Muhamedi (zotëria i tij) e mori vesh se shërbëtori e kishte shitur  artikullin më shtrenjtë se sa çmimi i duhur, ai doli në treg dhe e kërkoi blerësin me qëllim që t’ia kthente atij tepricën e çmimit që ia kishte marrë shërbëtori i tij. Kush e ka shtyrë Muhamedin, këtë tregtar të sinqertë, që të dalë në treg dhe ta kërkojë blerësin me qëllim që t’ia kthente tepricën, përveç imanit, sinqeritetit dhe besës së tij ndaj popullit dhe ndaj Allahut xh.sh.?

Po ashtu, edhe hulefai rashidinët (sunduesit e drejtë e të udhëzuar) e të tjerët kanë qenë besimtarë të sinqertë e të devotshëm në punën dhe përgjegjësinë e tyre, e për këtë arsye është realizuar qetësia, siguria dhe vëllazëria në mes njerëzve. Prandaj nuk duhet të çuditemi pse Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka besim ai i cili nuk ka amanet dhe nuk ka fe ai i cili nuk ka besë”.

Prof.Dr.Muhamed Said Ramadan el Buti – FSHEHTËSITË E DISA LIGJEVE KUR’ANORE

Povezani Članci

Back to top button